Bernardin Palaj (Shkodër, 2 tetor 1894 - 2 dhjetor 1946) ka qenë frat françeskan, mbledhës folklori dhe poet shqiptar.[1] Shquhet së bashku me P. Donat Kurtin për mbledhjen e folklorit, i cilësuar nga albanologia ruse Agni Desnikcaja "njohësi më i mirë i Alpeve". U pranua si shenjtor i Kishës Katolike më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.[2]

Bernardin Palaj
Át (OFM)
U lind më2 tetor 1894
Shllak, Perandoria Osmane
Vdiq më2 dhjetor 1946
Shkodër, Qeveria Demokratike e Tiranës
Emri i letraveKukel Lapaj, Costantinus, Viator
KombësiaShqiptar
Gjinitë letrareProzë, Poezi

Biografia

Redakto

Leu në më 2 tetor 1894 në gjirin e një familjeje të shpërngulur nga Shllaku në Shkodër, i biri i Gjonit e Marte Dedajt, u pagëzua me emrin Zef.[3] Mësimet fillore e të mesme i në shkollën e etërve françesanë, ndërsa Liceun e kreu në Salzburg e ato teologjikë e filozofike në Innsbruck.

Gjatë periudhës studentore tregoi interes të veçantë për albanologjinë, kultivuar deri atëherë nga autorë të huaj. Për disa vjet mësoi në liceun “Illyricum” shqip dhe latinisht, pastaj shërbeu në famullitë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut.[4]

Më 15 prill të vitit 1923, bashkë më vëllezërit Mjeda, Fishtën, Harapin, Prennushin, bashkëpunoi me gazetën "Ora Maleve" që u botua në vebdlindje. Botoi po ashtu nëpër të përkohshmet “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Tomori” etj. Pas pushtimit italian të Shqipërisë u vesh kapiten xhandarmërie deri më 1944, por duket se qe i sëmurë prej 1942. Po ashtu qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare qysh prej 1940, i interesuar për kodet zakonore dhe organizimin e shoqërive fisnore nëpër male.[1]

Ndersa dy vite më vonë, puna e tij shkencore si dhe aktivitetiti i tij fetar u nderpre. E arrestuan në Kuvendin e Rubikut më 22 tetor 1946. U akuzua si "agjent dhe bashkëpunëtor i fashizmit".

Vdiq në burg, para se të "gjykohej" më 2 dhjetor 1946 sepse u mbajt lidhur me tela dhe vdiq nga tetanozi; vuante edhe nga sëmundje zemre. U varros në oborin e ish-sanatoriumit në Shkodër.[4]

Folklor dhe poezi

Redakto

Periudhën e parë të veprimtarisë së vet ia kushtoi mbledhjes së rapsodive të maleve, vepër së cilës i kushtoi gati pesëmbëdhjetë vjet. Sa u hap “Hylli i Dritës” në vitet 1921-1924 nxjorri pesë rapsodi ("Kangë Kreshnikësh"), e më 1937 boton së bashku me Atë Donat Kurtin vëllimin e dytë të “Visaret e Kombit”. Po ashtu boton krijimtarinë e tij poetike në “Hyllin e Drites”: Prej burgut të jetës (vepra e tij e parë poetike botue me 1933), Fragment – Valët e nji shpirti (i pakryem), Moskë – Alkazar, Vorreve të Famurit, Kuq e zi, Kah nata e vetme (e frymzoi vdekja e Fishtës), etj. Ndërsa shpirti i tij epik dhe poetik kishte prekur majat e krjimtarisë së tij, At Palaj fillon të mbledhë mitologjinë, zakonet dhe doket shqiptare, të cilat i boton më së parit te “Hylli i Dritës” në periudhën 1940 – 1944. Ndër këto mund të veçojmë: Syni i keq, Shpirti i keq, Ora e shpís, Bestytni Ilire, Orët, Zanat, etj. Bën disa studime interesante dhe shkencore mbi kanunin e maleve, me vlerë burimore për studiuesit e të drejtes zakonore shqiptare, të cilat botohen nga Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë në librin: “Studime dhe tekste, Dega Juridike Tiranë 1943”. Po në këtë botim ai boton një variant të Kanunit të Lekë Dukagjinit mbas shqyrtimit të Mark Sadikut. Palaj kontribuoi gjithashtu me veprat Doke e kanû në Dukagjin 1942; Mite, besime e legjenda; Dioqezi i Pultit; Kanuni i maleve.

Ka trajtuar për mite dhe legjenda që gjendeshin në zona të thella malore, kryesisht në Dukagjin. Mbledhja e këtyre zakoneve, dokeve dhe traditave të jetës etnike dhe familjare shqiptare e kanë shtyrë të shohë, të ruajtura trashëgiminë, përkatësinë dhe identitetin Iliro–Thrak të shqiptarëve.

Për folklorin e mbledhur me Kurtin shkruan:

“Kangët e vjetra, qi njifen prej malcorvet janë nën emnin “kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute” janë visari ma i çmueshmi I gjuhës, shprehja ma e gjalla e shum ndiesive bujare e përfytyrimi typik i fizjonomis së kombit t’onë".

Ka dëshmi se një koleksion i mrekullueshëm i florës së krahinave të veriut ka qenë i disponueshëm në fondin e Institutit të Shkencave Tiranë në fillim të viteve 1950. Një punë të mirëfilltë shkencore, me përshkrime shoqëruese të sistemuara e të hollësishme. Nuk ka të dhëna se çfarë u bë më tej me të.

Historiografi, memuaristikë

Redakto

Ndër studimet e tij historike mund të cilësohen më të rëndësishmet: “Studime dhe dokumente rreth dioqezit të Pultit”, shkrime dhe studime dokumentesh, që janë të botuara në revistën “Hylli i Dritës”; “Lufta shqiptare kunder pushtuesit turk”, (dorëshkrim i pabotuar). Në këtë studim ai trajton këto tema: “Gjendja e përgjithshme kishtare prej vjetes 1468 – 1650”; “Largimi i rregulltarve e i bujarve prej Shqypniet”; “Salvimet e turkut”; “Jeta e popullit e e klerit katolik”; “Kryengritja e katolikve”; “Gjendja e Françeskajve mrenda kësaj kohe”.

La në dorëshkrim një ditar mbi Lëvizjen e Dukagjinit si dhe sprovën A janë shqiptarët autoktonë mbështetur në hulumtimet e tij mbi folklorin, besëtytnitë dhe mendësitë vendase.

  • Kryengritja e Dukagjinit që përfshin vitet 1926-1928, (dorëshkrim i pabotuar),
  • Ditar shenimesh”, (dorëshkrim i pabotuar),
  • A janë Shqyptaret autokton (dorëshkrim i pabotuar)
  • Ça hoqme na katolikët për Shqypni, (dorëshkrim i pabotuar).

Muzikë

Redakto

I njohur edhe si muzikant, ka qenë autor i tekstit dhe i muzikës së këngëve me përmbajtje patriotike si: Flamuri, Vaji i bylbylit, e para e përmbledhur në tetë vargje ku jepet e gjithë historia e popullit shqiptare, ndersa e dyta i bën jehonë gjendjes së mjeruar të Shqipërisë nën pushtimin fashist. Këto dy këngë me tekst dhe muzikë të Palajt u përhapën në tërë Shqipërinë e sidomos në mesin e rinisë shkodrane. Studiuesi prof. dr. Alfred Çapaliku shkruan se Át Bernardini edhe si fëmijë i kishte ra fyellit e si djalosh e si burrë u bë i ditur edhe në muzikë, ku ishte edhe në orkestëren e Liceut.

Referime

Redakto
  1. ^ a b Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht) (bot. 2). Rowman & Littlefield. fq. 345. ISBN 9780810861886.
  2. ^ Flocchini, Emilia. "Beato Bernardino (Zef) Palaj Sacerdote francescano, martire" (në italisht). Santiebeati. Marrë më 5 janar 2018.
  3. ^ Kurti, P. Donat (2003) [1965]. Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 118. ISBN 99927-789-1-1.
  4. ^ a b Demaj V., Hymje: At Bernardin Palaj - Një thesar i pazbuluar, Shkodër: Botime Françeskane, Vepra 1.
  NODES
eth 4