Letërsia arbëreshe është një degë e letërsisë së hershme që u zhvillua jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dhe që njihet si letërsia e arbëreshëve të Italisë Jugore. Ngulmimet e shqiptarëve drejt këtij shteti njihen që nga viti 1272, 1388 dhe 1393, po ato që populluan mbi njëqind qytete e fshatra në Italinë Jugore, lidhen me mesin e e shek. XV, kur shumë shqiptarë u thirrën nga mbreti i Napolit për të mposhtur një kryengritje në Itali. Dhe veçanërisht ngulmime te mëdha ka pasur pas vdekjes se Skënderbeut, kur eksodi (migrimi) u be masiv, për shkakun e pushtimit te Ballkanit nga Perandoria Osmane.

Vepra e pare e Arbëresheve mbahet "E mbësueme e krishterë".[1] Aurori i saj është kryeprifti sicilian Lekë Matrënga (1560-1619) që vlerësohet si shkrimtari me i hershem i letërsisë së arbëresheve te Italisë dhe autori i vjershës se pare te shkruar ne shqip.

Vështrim

Redakto

Letërsia arbëreshe lindi në shekullin XVI dhe u zhvillua si shprehje e përpjekjeve të Arbëreshëve për të ruajtur përkatësinë e tyre etnike, përmes lëvrimit të shqipes dhe të letërsisë artistike të shkruar me të. Arbëreshët e Italisë nisën të botojnë në gjuhën amtare shumë shpejt pasi u vendosën në Itali, duke vazhduar, pas gjasash, një traditë më të hershme të sjellë nga jeta kulturore shqiptare para pushtimit osman. Vepra e parë e letërsisë arbëreshe, konsiderohet vepra kateketike "E mbsuame e krështerë" e Lekë Matrangës që doli më 1592. Nga fillimet e saj deri në shekullin XVIII, letërsia arbëreshe e Italisë u shkrua nga klerikë të ritit bizantin (N. Brankati, N. Filja, N. Keta, që përshtatën nga italishtja e krijuan edhe vetë lirika fetare. Vepra më e rëndësishme që arriti të botohej në këto kohëra ishte poema "Gjella e Shën Mërisë Virgjër" (1762) e Jul Varibobës.

Duke u nisur nga gjysma e parë e shekullit XIX, me veprat e Jeronim De Radës, letërsia arbëreshe e Italisë hyri në hullinë e zhvillimeve romantike. Fillimisht si një letërsi poetësh, ajo lëvroi idilin ("Këngët e Milosaos" e De Radës, "Milo e Haidhe" e Zef Skiroit. poemën epiko-lirike ("Këngët e Serafina Topisë" e De Radës, "Kënga e sprasme e Balës" e Gavrill Darës, i Riu. Por ideomatikat romantiko-kombëtare të letërsisë arbëreshe të Italisë u shfaqën më gjerë në epet që ajo krijoi: ndër to u shqua "Skanderbeku i pafan" i De Radës dhe "Te dheu i huaj" i Skiroit. Novelën në vargje ("Panaini dhe Delija", "Brisandi"," Lletixja e Ulladheni" etj.), e trajtoi Francesk Santori, që u mor edhe me lirikën satirike, me dramën ("Emira") dhe romanin ("Sofia Kominiate"). Me vëllimin e Zef Serembes "Poezi italisht dhe këngë origjinale përkthyer nga shqipja", letërsia arbëreshe u drejtua pas llojeve më të përhapura lirike: këngës, sonetit, elegjisë, odës etj. Me këto ajo formësoi, veç motiveve atdhetare, edhe motive të mendimit, të dashurisë, të peizazhit etj.[2]

Letërsia arbëreshe pas vdekjes së Skiroit (1927) erdhi duke u shuar, për t'u gjallëruar përsëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur nisi të përjetojë një rilindje të re që u përurua me përmbledhjen poetike "Burbuqe t'egra" (1946) të Dushko Vetmos (Françesko Solano). Zhvillimi letrar te Arbëreshët, pas Luftës së Dytë Botërore është pjesë e lëvizjes së tyre kulturore për të mbrojtur dhe zhvilluar identitetin e tyre etnik përmes lëvrimit të gjuhes, mbledhjes e botimit të folklorit dhe të veprave të shkrimtarëve arbëreshë, njohjes së traditave historiko-etnografike dhe botimit të një sërë revistash kulturore, letrare e shkencore ("Katundi ynë", "Zjarruj), Vija", Zëri i Arbëreshëve", "Lidhja" etj.).

Në letërsinë e sotme të arbëreshëve mund të dallohen dy breza krijuesish: brezi i parë, i përfaqësuar nga Françesko Solano (1914-1999), Lluka Perrone (1921-1984), Vorrea Ujko (pseudonimi i Demeniko Belicit, 1918-1989), Karmel Kandreva (1931-1982), Enzo Skutari (1926) e Xhuzepe del Gaudio (1921) dhe, brezi i dytë, i përfaqësuar nga Xhuzepe Skiro di Maxhio (1944), Vinçenso Belmonte (1945), Pietro Napolitano (1931), Agostino Xhordano (1950), Kate Zukaro (1955), Matilda Ferraro (1947), Mario Belici (1957) dhe të tjerë. Gjinia më e lëvruar e letërsisë arbëreshe është poezia, por ka nisur të lëvrohet edhe proza e drama. Ajo zhvillohet në disa vatra, në katundet arbëreshe të Kozencës, të Sicilisë, të Katanxaros dhe Bazilikatës. Shkrimtarët arbëreshe shkruajnë zakonisht në të folmen arkaike të katundeve të tyre, por nuk mungojnë dhe përpjekje për të përdorur shqipen e sotme standarde ose për të qenë më pranë saj.[2]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Sylejmani, Fadil (1979). "E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës". WorldCat.org. Prishtinë: Rilindja. Marrë më 2024-04-08.
  2. ^ a b Lafe, Emil, red. (2008). Fjalor Enciklopedik Shqiptar [Encyclopedic Dictionary of Albania]. Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 1473–1474. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.

Lidhje të jashtme

Redakto
  NODES