Revolucioni Francez (17891799) ishte një periudhë e përgjakshme që përfshiu të gjithë Francën për arsye kryesisht sociale dhe politike. Kjo shënoi fundin e monarkëve në Francë dhe ardhjen e një rendi të ri, që tronditi të gjithë Evropën.

Liria në barrikada.

Kur Luigji XVI thirri parlamentin, ai shpresonte të fitonte sërish mbështetjen e masave të popullsisë Franceze. Reformat ekonomike sipas tij do të shuanin revoltën dhe do të risillnin stabilitetin në vend. Për tu theksuar është se parlamenti nuk ishte mbledhur që nga viti 1614, dhe askush nuk mund ta parashikonte se çfarë do të trajtonin deputetët e tre klasave kur ata do të takoheshin në Versajë.

Fundi i revolucionit me dekapitimin e mbretit (Luigji XVI) dhe mbretëreshës (Marie Antoinette Josèphe Jeanne de Habsbourg-Lorraine), do të sillte në pushtet jakobinët me në krye Maksimilian Robespierin, i cili legjitimoi Regjimin e Terrorit.

Deficiti i madh i shtetit dhe pakënaqësia popullore e detyruan Luigjin XVI që në maj 1789 të mblidhte Përfaqësinë e Përgjithshme,e cila nuk ishte thirrur gjatë 2 shekujve. Përfaqësuesit (deputetët) e shtresës së tretë, pa vullnetin e mbretit e shpallën veten Asamble Kushtetuese dhe deklaruan se nuk do të shpërndaheshin pa i dhënë vendit kushtetutën. Në mbrojtje të Asamblesë, më 14 korrik 1789 populli i armatosur i Parisit sulmoi dhe pushtoi kështjellen burg, Bastijën, qe ishte simbol i absolutizmit. U liruan të burgosurit dhe u ngrit flamuri trengjyrësh (i bardhe, i kuq, blu) i revolucionit. Kjo datë, 14 korriku, shënoi fitoren mbi regjimin e vjetër dhe vendosjen e regjimit të ri. Sot kjo ditë është festa kombëtare e Francës. Në provinca u pushtuan kështjellat, u dogjën dokumentet e detyrimeve dhe kudo u vendosën organe të reja të zgjedhura nga populli. Revolucioni fitoi. Për të mbrojtur Asamblenë u krijua një forcë e re ushtarake e përbërë nga vullnetarë, që u quajt Garda Kombëtare. Kjo forcë u bë ushtria e revolucionit.

Revoltat Popullore

Redakto
 
Luigji XVI.
 
Marie Antoinette (1768).

Më tutje akoma, ndërkohë që Asambleja Kombëtare po punonte për kushtetutën e re (ata kishin punuar që nga korriku i 1789), qytetarët e Parisit dhe fshatarësia në rrethinat e kryeqytetit filluan revoltat që do ti jepnin revolucionit një pamje krejt tjetër; një pamje akoma më radikale. Qytetarët dhe fshatarët e thjeshtë kishin menduar se reformat do të ishin të shpejta. Ata kishin shpresuar që të liroheshin shpejtë nga taksat e rënda dhe nga varfëria e tejskajshme, por mbledhjet e Asamblesë Kombëtare kërkonin akoma më shumë kohë ndërkohë që banorëve të Parisit iu sos durimi. Mbase punimet kërkonin pak më shumë durim, por ishte popullsia e thjeshtë ajo që po përballej me inflacionin, papunësinë dhe shkurtim të rezervave ushqimore. Fjalë të shumta po përhapeshin se mbreti po përqendronte trupa të armatosura rreth Parisit. Të gjithë këto faktorë, të ndihmuar edhe nga një pasiguri e madhe, bënë që qytetarët e Parisit të hidheshin në revoltë.

Thashethemet u vërtetuan shpejtë. Luigji XVI, i ndikuar vazhdimisht nga gruaja e tij e bukur Maria Antonieta, do të sillte trupa ushtarake në Versajë. Si një veprim i gabuar ky, në një kohë të papërshtatshme, mbreti vetëm sa shtoi akoma më shumë frikën e qytetarëve se ato trupa “nesër ose pasnesër” do të godisnin Asamblenë Kombëtare. Kjo sipas masave ishte një lëvizje e mbretit për të shtypur revolucionin. Reagimi i turmës erdhi shpejtë. Më 14 korrik të 1789, një turmë e revoltuar sulmoi Bastijën. Bastija ishte një burg ku zakonisht hidheshin kundërshtarët politik, ndaj sulmi ndaj saj u pa nga të gjithë si një goditje ndaj padrejtësive që i ishin bërë atyre deri atëherë.

Shqetësimet do të përfshinin edhe rrethinat e Parisit. Gjatë verës të po atij viti, fshatarët u kapën në një ankth të papërshkrueshëm që u emërua si “Frika e Madhe.” Thashethemet u përhapën si era nga një fshat në fshatin tjetër sikur banditë dhe banda hajdutësh sulmonin fshatrat në të gjithë Francën duke vjedhur dhe bastisur të mbjellat dhe të korrat. Në këtë gjendje paniku, fshatarët shtrënguan në duar armët për tu mbrojtur nga një armik virtual që në vërtetë ishte thjeshtë pjellë e thashethemeve frikë-ndjellëse. Kur “bandat e hajdutëve” dhe “banditëve” nuk u dukën në horizont, fshatarët e tromaksur nga “Frika e Madhe,” sulmuan fisnikët e tyre. Ata shkatërruan, vodhën dhe bastisën depot ushqimore, dogjën regjistrat e taksave, si edhe u zotuan se kurrë më nuk do të paguanin ndonjë detyrim feudal. Ashtu si edhe parisienët, edhe fshatarët po zhvillonin një revolucion (në mënyrën e tyre) kundra regjimit të vjetër.

Reforma e të tjera

Redakto

Duke parë trazirat në Paris dhe në të gjithë Francën, Asambleja Kombëtare kaloi në veprim. Në natën e 4 gushtit, pjesëtarë të shumtë të asamblesë mbajtën fjalime të gjata dhe pasionuare në mbrojtje të reformave. Mendohet se një nga vetë fisnikët, pretendoi që edhe këta të fundit të paguanin taksa. Një tjetër propozim ishte heqja dorë nga e drejta fisnike e gjuetisë (që ishte një nga hobit e preferuara të Luigjit XVI). Duke guxuar më shumë, edhe kleri vetë deklaroi se ishte i gatshëm të hiqte dorë nga pasuritë e luksit në se këto do i shërbenin reformave. Me pak fjalë, deri në agim asambleja hodhi poshtë të gjitha traditat e fisnikëve. Fisnikët tashmë mund ti gëzoheshin vetëm titujve të tyre. Një tjetër hap i rëndësishëm ishte edhe barazia e të gjithë meshkujve të rritur për tu punësuar në institucione shtetërore dhe fetare.

Mbledhja në atë natë gushti bëri shuma hapa para. shkurt, mjafton të përmendim citatin e një fisniku të moderuar Francez, Conte de Merabeau:

“ – Në se nuk është për të qeshur... shpenzuan një muaj të plotë duke u kapur mbas gabimeve ortografike, se si shkruhej kjo ose ajo fjalë. Por ju desh vetëm një natë për të përmbysur të gjithë rregullat e vjetra të mbretërisë.”

Para se të mbaronte gushti, Asambleja Kombëtare hartoi dhe vuri në zbatim të Deklaratën e të Drejtave të Njeriut. Kjo deklaratë përmbante shumë ide filozofike të iluminizmit dhe u frymëzua nga Karta e të Drejtave e hartuar në Angli. Një ndikim tjetër të madh pati edhe Deklarata e Pavarësisë amerikane. Deklarata e të drejtave të Njeriut (deklarata franceze), u përkthye në shumë gjuhë të tjera dhe u përhap në të gjithë Evropën. Nën këto ide, shumë vende të tjera, edhe Shqipëria, do të bënin revolucionet e tyre nën shembullin Francez. Pra deklarata bënte thirrje për barazi të të gjithë personave dhe siguri të pronës. Këto mendime do të parashtroheshin edhe në kushtetutë.

Zhvillime të mëtejshme

Redakto

Ndërkohë që juristët dhe zyrtarët hartonin dhe debatonin reformat, qytetarët e revoltuar të Parisit hynë në asamble duke i kujtuar atyre se duhet të pyeteshin edhe kërkesat e tyre. Debati ishte pak i vështirë të qetësohej pasi shumica e protestuesve ishin me arsim të mesëm dhe nuk mund të kuptonin lehtë gjuhën e ngarkuar juridike.

Gjatë tetorit të 1789 më datë 5, me mijëra gra të revoltuara do të marshonin drejt Versajës, ku ndodhej mbreti me familjen e tij. Gratë ishin të revoltuara për çmimet e larta të ushqimeve. Një tjetër arsye e marshimit ishte si gjithmonë dyshimi se mbreti dhe mbretëresha austriake po komplotonin kundra Asamblesë Kombëtare. Ato kërkuan që mbreti të kthehej me ta në Paris së bashku me familjen e tij. Atje, ato do ta kishin më të thjeshtë të kontrollonin aktivitetet e mbretit. Luigji XVI pranoi duke shmangur në këtë mënyrë dhunën.

Kthimi i mbretit në Paris ishte një skenë e paparë. Rikthimi i mbretit habiti të gjithë. Luigji XVI, i hipur mbi një kalë parakaloi në rrugët e Parisit i ndjekur nga një turmë grash që përshëndesnin me gëzim. Mbreti vetë mbante të veshur shiritin tre ngjyrësh; blu, të bardhë dhe të kuqe, ngjyra këto që revolucionarët i kishin mbartur nën flamurin e tyre. Kjo gjë, i bëri revolucionarët të mendonit se ishin pikërisht ata që e kishin në dorë Francën tashmë. Asambleja Kushtetuese gjithashtu u zhvendos në Paris sepse në këtë mënyrë revolucionarët mund ta analizonin punën e tyre akoma më mirë.

Pasojat ekonomike, politike dhe sociale

Redakto

Në fakt shumë do tju dukej periudha e revolucionit koha në të cilën Franca do të shkatërrohej përfundimisht, por nuk ishte ashtu. Rezultatet ishin shumë të mëdha duke qenë se kanë qenë produkti i kauze të hershme.

Pasojat e revolucionit nuk ishin aspak të papërfillshme, ato cuan në një ndryshim rrënjësor në sistemin e politik, ekonomia u rrit, dhe shpërndarja klasore ndryshoi. Nga e gjithë situata e ngatërruar e Francës, kaosi politik dhe ekonomik që përfundoi në përmbysjen e Direktoratit në  1799, ishte Napoleon Bonaparti ai që vendosi rregull dhe i solli Francës lavdinë e mëparshme. Në fakt regjimi i tij ishte akoma më i fortë dhe absolutist sesa ai i Luigjit të XIV por, në këtë rast francezët donin unitet dhe lulëzim të vendit të tyre.

Kështu uniformiteti i ligjit dhe i institucioneve u zbatua dhe afirmua në të gjithë Fancën, privilegjet ligjore të disa klasave u zhdukën, sistemi  i vjetër agrar u hoq, një pjesë e madhe e tokave mbretërore, të fisnikëve dhe të klerit u shpërndanë dhe iu shitën personave të shtresës së mesme dhe të ulët me cmime relativisht të ulëta. Sistemi i ri fiskal i tatonte njerëzit sipas fitimeve dhe u hoqën të gjitha pengesat për tregëtinë brenda vendit. Cdo profesion u bë pa pagesë dhe secili e merrte atë në bazë të talentit dhe aftësive. Besimi fetar dhe fjala kishin pothuajse një liri të plotë.

Të gjitha këto produkte të revolucionit bënë që francezët të duronin të gjitha reformat dhe masat drastike që i sollën ato. 

Reformat Fetare

Redakto

Për tu theksuar janë edhe reformat fetare që u zbatuan në këtë revolucion. Në të gjithë Francën, u hoqën të gjitha privilegjet dhe zakonet prapanike të fisnikëve dhe klerit. Asambleja Kombëtare i hoqi të gjitha privilegjet kishës, si edhe shpalli lirinë e besimit. Më 1790, asambleja i hartoi Kodin Civil (edhe pse në të vërtetë kodi civil do të hartohej në një mënyrë më të mirëfilltë dhe të saktë vetëm gjatë sundimit të Napolon Bonapartit). Sipas këtij kodi, asambleja merrte fuqi absolute mbi veprimtaritë fetare. Gjithashtu tashmë njerëzit mund ti zgjidhnin vetë klerikët. Situata degjeneroi më tepër kur asambleja filloi të shiste tokat e kishës si të sajat (kjo për arsye financiare). Ky veprim në të vërtetë nuk ndikoi shumë në rrjedhën e revolucionit, por bëri që disa përkrahës të flaktë të tij të cilët ishin katolik, të revoltoheshin dhe të mallkonin revolucionin, edhe pse kjo dyshohet se ishte thjeshtë një propagandë e Papatit.

Kushtetuta dhe Ngjarje të Tjera

Redakto

Më 1791, Asambleja Kombëtare i dorëzoi më në fund popullit francez kushtetutën e saj të parë. Kushtetuta i la shumë pak fuqi mbretit edhe pse ai mund të vazhdonte të ishte monarku i vendit. Mbreti u vendos në krye të ekzekutivit. Legjislatura iu la në dorë Asamblesë Kombëtare. Mbreti mund të përdorte veton për të penguar një ligj, por legjislativi mund ta kundërshtonte veton e mbretit. Reforma të shumta u bënë gjithashtu edhe në gjykata ku këtyre të fundit iu dha një pavarësi për ta pasur zili. Kushtetuta do e ndante Francën në 83 departamente (rajone), dhe zëvendësoi punonjësit e vjetër lokalë me gjak të ri të zgjedhur nga vetë populli.

Nën ndikimin e Kushtetutës, dallimet e vjetra ndërmjet klerit, fisnikëve dhe “plebenjve”, u zhduk krejtësisht. Tashmë Franca i kishte përjashtuar elementët e vjetër të feudalizmit dhe ato, gjithmonë sipas kushtetutës nuk ishin më të mirëpritura në tokën e lirisë. Kushtetuta do të garantonte liri dhe barazi përpara ligjit për të gjithë qytetarët francez.

Mbas hartimit të kushtetutës, që priste akoma nënshkrimin e mbretit, shumë persona u kënaqën me monarkinë konstitucionale. Megjithatë radikalët nuk u pajtuan me këtë zgjidhje. Ata dëshironin republikë dhe jo monarki të kushtëzuar. Për shumë fisnikë, kushtetuta e 1791 e kishte tepruar me nenet e saj. Madje fisnikët (shumica e tyre) e kishin parë me dyshim kushtetutën përpara se ajo të fillonte të hartohej. Të frikësuar nga turmat e armatosura në rrugët e Parisit dhe gjetke, ata u larguan nga Franca. Këta “emigrantë politikë” do të luanin një rol vendimtar në bindjen e fisnikëve evropianë për të kundërshtuar revolucionin.

Kushtetuta frikësoi kryesisht Luigjin XVI. Luigji u alarmua nga vendimet e asamblesë dhe si gjithmonë ai do të bënte gjënë e gabuar në një kohë të gabuar. Ai do kërkonte ndihmë jashtë vendit të tij. Maria Antonieta do ti kërkonte ndihmë vëllait të saj, i cili ishte perandor i Austrisë. Megjithatë, familja mbretërore do të përpiqej të arratisej në qershor të 1791. Arratisja do të kishte qenë një sukses në se mbreti s’do të njihej në kufi. Asambleja e revoltuar e arrestoi atë dhe e detyroi të rikthehej në Paris ku kishte edhe vendin. Luigji e kuptoi se kishte qenë gjithnjë një i burgosur virtual i asamblesë. Në këto kushte, ai u detyrua ta pranonte kushtetutën e re më shtator të po atij viti.

Përpjekja për arratisje e mbretit i vuri në siklet revolucionarët e moderuar (të djathtët), që pavarësisht se ishin të kënaqur me monarkinë kushtetuese nuk mund ta justifikonin “tradhtinë” e mbretit. Radikalët revolucionar (të majtët) godisnin pikërisht në atë pikë. Ata ishin për republikë me pretendimin se mbretit nuk mund ti zihej besë. Si vazhdim, radikalët revolucionar arritën të merrnin pushtetin. Grupi i Jakobinëve me Maksimilian Robespierin në krye do të drejtonte Francën në “Regjimin e Terrorit.”

Referime

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto
  NODES