Shefik Osmani (Shkodër, 20 maj 1923 - Tiranë, 22 korrik 2012) ka qenë arsimtar, pedagog, bashkëpunëtor shkencor dhe autor i disa artikujve dhe teksteve studimore mbi pedagogjinë, historinë e pedagogjisë (historinë e arsimit) si dhe atyre didaktike.[1][2]

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër më 20 maj 1923 i biri i Et'hemit dhe Bekijes, për kontributin e tij në arsim i ati u nderua me titullin "Mësues i Popullit", ndërsa i vëllai Tomorr Osmani do të bëhej koleg i tij në fushën e pedagogjisë dhe studimeve.[3] Pas mbarimit të gjimnazit filloi studimet për mjekësi në Itali, të cilat u ndërprenë për arsye familjare. Në vitin 1950 mbaroi Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë dhe më 1960 u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Vijoi shkollimin në Bashkimin Sovjetik.[4]

Punën në arsim, si mësues dhe drejtor shkolle e filloi në Shkollën Pedagogjike të Peshkopisë. Në vitin 1955 transferohet në Shkodër si mësues dhe më pas drejtor i Shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka”.

Në vitin 1955 emërohet inspektor pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës në Tiranë, ndërsa në vitin 1967-1970 kalon në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor si përgjegjës sektori dhe drejtues i hartimit të teksteve të këndimit për ciklin e ulët. Gjatë viteve 1970-1990 punoi në Institutin e Studimeve Pedagogjike si bashkëpunëtor shkencor.

Vlerësime dhe mirënjohje

Redakto

Për punën origjinale dhe plot përkushtim Shefik Osmani është vlerësuar me: “Medalje pune” (1952), “Arsimtar i dalluar” (1958), me Urdhrin “Naim Frashëri” (1970), merr gradën shkencore “Kandidat i shkencave” (1981), merr titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” (1984), dekorohet me “Laureat i Çmimit të Republikës” (1984), merr titullin “Mësues i Merituar” (1989), i jepet titulli “Drejtues kërkimesh” (1999) dhe në vitin 2003 i akordohet pension i posaçëm.

Veprimtaria

Redakto

Shefik Osmani ka një veprimtari të pasur shkencore dhe botuese. Gjatë viteve 1972-1977 zhvilloi një sërë eksperimentesh për modernizimin e përmbajtjes së mësimit në klasën I-IV të shkollës 8-vjeçare.

-Ka shkruar 231 artikuj me karakter studimor në manuale, libra, revista, etj.

-Ka mbajtur 92 ligjërata në sesione, konferenca dhe kongrese shkencore.

-Ka udhëhequr 31 oponenca për disertacion në kërkim të gradës shkencore.

-Në veprën “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar” (2003) është autor i kreut VI, bashkëpunëtor i kreut X dhe anëtar redaksie.

-Në fjalorin Enciklopedik Shqiptar botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008-2009 kreu detyrën e sekretarit shkencor në redaksinë e arsimit, dhe është autor i 40 zërave.

Prej vitit 2002 ka qenë pjesëmarrës në redaksinë e Revistës Shkencore Kulturore "Univers” botuar nga AIITC.

  • "Probleme të mësimdhënies në Ciklin e Ulët të shkollës tetëvjeçare" 1982;
  • "Fjalor i pedagogjisë", 1983;
  • “Pjetër Bogdani”, 1996;
  • "Një misionar në shërbim të kombit" (kushtuar L. Marlekajt), 1996;
  • "J.H. Pestaloci-reformator i madh i arsimit" (me bashkëautor) (1977);
  • "Panteoni Iranian dhe iranologët shqiptarë", 1998;
  • "Reflekse etnopedagogjike I”, 1998;
  • "Përpjekja Pedagogjike - almanak" (me bashkëautor), 2000;
  • "Naim Frashëri - Vepra letrare pedagogjike 7", 2001;
  • "Shpalime etnopedagogjike II", 2008.

Shefik Osmani është bashëkautor i teksteve të mëposhtme mësimore për Ciklin e Ulët:

  • "Libër Këndimi për kl. I", 1971;
  • "Libër Këndimi për kl. II", 1971;
  • "Të njohim historinë e popullit tonë", 1971;
  • "Leximi I -maket", 1983;
  • "Leximi 2 - maket", 1984;
  • "Leximi 3 - maket", 1985;
  • "Leximi 4 - maket", 1986;
  • "Leximi 1", 1991;
  • "Leximi 2", 1992;
  • "Leximi 3", 1993;
  • "Leximi 4", 1994.

Nga viti shkollor 1994-1995 e deri në vitin 2003-2004 u përgatitën tekstet e përbashkëta për Shqipërinë dhe Kosovën. U botuan: "Leximi 1", 1994; "Leximi 2", 1994; "Leximi 3", 1995 dhe "Leximi 4", 1996.

Shefik Osmani, që nga viti 1994 si bashkautor, ka botuar këto tekste për shkollat shqipe të diasporës: "Zemra ime" për kl. I, "Zemra ime" për kl. II dhe "Zemra ime" për kl. III, botuar në Stamboll më 1994. Në vitin 1995 ka botuar: "Shkollë e jetë" për kl. IV, "Shkollë e jetë" për kl. V dhe "Shkollë e jetë" për kl. VI. Në vitin 2000 u botuan në Gjermani "Leximi im 3 dhe 4 në gjuhën amtare", "Fletore pune" për leximin 3 dhe 4 dhe "Plotësori i abetares". Në vitin 2001 ka botuar "Fjalor me figura". Për nxënësit e talentuar (me bashkëautor) ka botuar më 2002 "Dritaret e mia" dhe në 2003 "Hape portën". Pasionet dhe prirjet e tij janë shpalosur në fushën e bibliografisë dhe filatelisë. Ka dhënë kontribute në hartimin e udhëzuesve, manualeve dhe skedarëve të librit. Me mijëra libra u janë dhuruar prej tij shkollave në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Libohovë etj, si dhe bibliotekave të institucioneve të ndryshme. Ndërroi jetë më 22. 07. 2012[5]

Shih edhe

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1228–1229. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ Mehmetaj, Nexhmije (9 qershor 2013). "Pishtari i arsimit shqip në diasporë". orashqiptare.blogspot.com. Marrë më 27 janar 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ Bejtja, Pajtim (22 korrik 2012). "Prof. dr. Shefik Osmani, personalitet i shquar i arsimit dhe i mendimit pedagogjik shqiptar". arkivalajmeve.com. Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 5 tetor 2016.
  4. ^ Shkurtaj, Gjovalin (7 mars 2013). "Shefik Osmani, ish-mësuesi dhe idhulli im i rinisë". telegraf.al. Marrë më 5 tetor 2016.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Sesion shkencor për simbolin e mësuesisë, Shefik Osmani, 04.03.2013[lidhje e vdekur]
  NODES
eth 3