42°04′12″N 19°39′11″E / 42.07000°N 19.65306°E / 42.07000; 19.65306

Shurdhahu, apo Ishulli i Shurdhahut është një ishull në lumin Drin, ku ndodhet qyteti mesjetar i Sardës. Më saktësisht pjesa e lumit Drin ku ndodhet ishulli i Shurdhahut është liqeni-rezervuari i Vaut të Dejës. Ishulli është afërsisht 16.09 km nga qyteza e Vat të Dejës dhe 6.4 km nga fshati Rragam, i cili ndodhet 9 km nga qyteti i Shkodrës. Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Këtu ndodhet vendbanimi i hershëm i Gajtanit (Shpella e Gajtanit), vendbanimi i Jubanit (Shpella e Jubanit), Qyteza e Gajtanit, kalaja e Danjës, kalaja e Dalmacës.

Histori

Redakto

Qyteza e Sardës deri në fund të shek. XV ka qënë një qendër e rëndësishme kulturore dhe pikë takimi e tre kulturave kryesore të gjithë trevës së veriut, kulturës së Malësisë, kulturës së Mirditës dhe asaj të Zadrimës, të cilat, me karakteristikat e veçanta që i dallojnë nga njëra-tjetra, u kanë rezistuar kohës dhe rrymave kulturore të huazuara nga pushtues të ndryshëm.

Sarda, dikur një qytezë përbri Drinit, si një ishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes të madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin e tyre, rrënojat e te cilit, si dhe ato të një kishe me arkitekturës romake kane mbetur akoma.[1] Shkatërrimi i tyre ndodhi nga pushtimi osman në 1491.[2]

Nga pika më veriore deri te skaji jugor gjatësia e ishullit është ~393m. Në vitin 1973, kur u ndërtua diga gadishulli i Shurdhahut, nga ngritja e nivelit të ujit u shndërrua në ishull në lumin Drin.

Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Theodor Anton Ippen, Alexandre Degrandi, Johann Georg von Hahn, si dhe studiues arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartës të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardës, këtu janë gjetur rrënojat e një kalaje romake të shek 6 - 8 p.e.s. Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit që përfshinte malësitë në të anët e Drinit nga Liqeni i Shkodrës deri në Kukës.

Kur flitet për Shurdhahun si një pikëmbërritje turistike është e pamundur që ta ndash nga liqeni artificial i Vaut të Dejës dhe brigjet e tij piktoreske. Ndërtimi i Liqenit të Vaut të Dejës (sip. 24,7 km²) gjatë regjimit komunist më 1971, për ishullin e Shurdhahut patjetër që ja qënë dhe është një mundësi me vlera që i tejkalojnë dëmet që ka sjellë në trashëgiminë e tij historike. Liqeni me ujin e tij të pastër krijon mundësi për një udhëtim të veçantë dhe mjaft të këndshëm. Ai ka mbuluar murin rrethues të kalasë së Shurdhahut. Megjithatë, përsëri muret e mbetura të kishave dhe të kalasë janë mjaft domethënës dhe që bien lehtë në syrin e vizitorit.

Liqeni i Vaut të Dejës që rrethon Shurdhahun me ujërat e tij, shtrihet thellë nëpër lugina dhe udhëtimi gjatë brigjeve të tij të ofron pamje piktoreske dhe të veçanta ku ndërthuren uji i liqenit, bimësia përreth dhe kafshë t'egra që rriten aty dhe shkëmbintë gëlqeror që janë herë të thepisur herë jo. Udhëtimi në liqen mund të fillohet nga diga e H/C të Vaut të Dejës ose nga diga e Rragamit. Gjatë rrugës mund të shihet dhe mësohet për Kalanë e Danjës në të cilën gjendet Kapela e Zonjës së Dejës e ndërtuar nga Gjergj Kastrioti pas një fitoreje mbi ushtrinë venedikase në malin e Shën Markut, në majë të të cilit është kjo kala e vogël. Më pas vazhdohet të shihet fshat i Sheldisë i famshëm për duhanin e tij, por që ka dhe një kishë të ndërtuar mbi një kodër.

Nga Shurdhahu mund të shkohet tek Shpella e Pëllumbave në veri që ofron një pamje të bukur si në vendndodhje ashtu dhe gjatë udhëtimit. Shurdhahu përbën një potencial të rëndësishëm të zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Ky destinacion i ofron turistëve të huaj dhe vendas shumë mundësi argëtimi: peshkim, kanotazh, piknik, shëtitje me lundra në itinerare të tilla si V. Dejës-Lisna-Shurdhah-Shpella e Pëllumbave, etj[3].

Referime

Redakto
  1. ^ Jubica, Irhan. "Shkodra, vendi i gjenezës". Albanian Travel Magazine. Marrë më 12 mars 2012. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Elsie, Robert (2010). Historical dictionary of Albania. Plymouth: Scarecrow Press. fq. 396. ISBN 978-0-8108-6188-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Shurdhahu" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 mars 2012. Marrë më 9 nëntor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje

Redakto
  NODES
eth 8