Zef Pllumi (Bogë, 1924 - Romë, 26 shtator 2007) ka qenë frat françeskan, publicist e shkrimtar memuarist shqiptar.

Zef Pllumi
Át (OFM)
U lind më28 gusht, 1924
Mali i Rencit
Vdiq më26 shtator, 2007
Romë
KombësiaShqiptar
Gjinitë letrareProzë, Historiografi

Pas 26 viteve burgim dhe rënies së regjimit komunist, shkroi memuaret e veta nëpër tituj të ndryshëm, më i bujshmi prej të cilëve qe trilogjia Rrno vetëm për me tregue. Me prirje përgatitore për kah historia që përpara se të ndërmerrte kalvarin, iu përkushtua trashëgimisë françeskane pas ndryshimeve politike në Shqipërinë e fillim viteve '90.

Biografia

Redakto

U lind më 28 gusht 1924 në një zabel tek veronin në bjeshkë e Qafë Tëthores së Bogës, i biri i Gjeto Tomës dhe Luke Mirajt, i pagëzuar me emrin Prekë.[1][2] Gjatë fëmijërisë takoi fretërit françeskanë Gjergj Fishtën dhe Anton Harapin që i kishin ardhur miq te tëbani i tyre ndër bjeshkë. Shtati dhe prania imponuese e të parit dhe çehrja prej asketi e të dytit lanë mbresat të cilat i përcjell te libri autobiografik "Saga e fëmijnisë". Gjatë atij takimi xhaxhai u thotë fretënve se djaloshi kishte shprehur dëshirën të bëhej frat. Dëshirë kjo e ftilluar në librin e lartpërmendur, që kishte marrë shkas prej një takimi të mëparshëm me fratin Bona Gjeçaj. Me atë rast Harapi i dha një medaljon të Shën Françeskut që mbante në qafë, duke i thënë që ta ruante me shumë kujdes në mënyrë që kur të shkonte në Kolegjin Françeskan të paraqiste atë medaljon.[2]

I tërhequr pas zhgunit të urdhërit të të shenjtit katolik, më 1929 bëhet nxënës i Dom Alfons Trackit. Më 1931 hyri në kolegjin françeskan të Shkodrës, ku jepnin mësim personalitete të kohës si vetë Fishta, Harapi, kompozitori Gjoka, Shllaku etj. Merr formim klasik në filozofi, teologji, letërsi dhe përvetëson mjaft mirë gjuhët e huaja: latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht e greqishten e vjetër. Nga mësuesi i tij, historiani Sirdani ushqente pasionin me libra historie e numizmatike. Tek libri i tij kumton se i njihte perandorët romakë për nga fytyra, ndër monedha, pa pasur nevojë me lexue ç'përmban monedha. Kreu maturën në liceun "Illyricum" më 1943.[3] Në vitet 1943–44 Pllumi ende xhakon, qe një nga bashkëpunëtorët e revistës “Hylli i Dritës” dhe po ashtu sekretar personal i Harapit, kur ky i fundit ishte Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte dhjak, Harapi e caktoi që të rëndiste e ndihmonte në Arkivin Françeskan; aty has dokumente të hershme e ndër më të vlefshmet për historinë kombëtare. Ishte gjatë kësaj periudhe kur partizanët mbushën boshllëkun e pushtetit dhe shfaqin shenjat e para të asaj që do të vinte.

Përndjekja

Redakto

Kur qe 22 vjeç, më 14 dhjetor 1946 u arrestua dhe u dënua me tre vjet burgim që e vuajti pranë Burgut të Madh të Shkodrës dhe në kampet famëkeqe të BedenitMyzeqe, dhe Orman-Pojanit në Maliq. Me t'u liruar u kthye, herë në Shkodër e herë në Shëngjin, tek familja e tij, në vartësi të situatës.

Shkak për arrestimin e tij sipas Pllumit, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit ishte prej të qenët sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë.

Kthehet në Kuvendin Françeskan kur negociatat mes Kishës e Qeverisë u "qetësuan". Nga viti 1949–1951 merret me numizmatikë si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar, caktohet në fillim si i besuar për t'u dërguar ndihmat priftërinjve nëpër kampet e ndryshme. Më tej, për 12 vjet shërben si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku niset me dt. 14 shtator 1958 bashkë me provincialin, Atë Augustin Ashikun.

1967 u arrestua dhe për 23 vjet vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. 1967–1989, për 23 vjet rresht, u burgos përsëri dhe vuan dënimin në Spaç, Reps, SkrofotinëVlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Shën Vasil dhe Tiranë. Gjatë burgut i ra të njihej me personazhe me kontribute në nomenklaturën komuniste si Gjin Markun, Kasëm Trebeshinën, Zef Malën, Dashnor Mamaqin dhe Kin Dushin, të cilëve u kushtoi skica portretizuese në memuaret e veta. Mala i la porosi që të gjente kujtimet që kishte lënë të shkruara, kujtime të cilat nuk mund t'i gjente kurrë.

Liria e shumëmunguar

Redakto

Doli nga burgu me 11 prill[4] dhe, natën e Kërshëndellave fillon meshtarinë tek Kisha e Shn'Andout në Tiranë deri në vitin 1997. Njeh Nanën Terezë të cilën e përcolli për në Shkodër ku u mbajt mesha e parë në Katedralen e Shkodrës.

Prej atëherë iu përkushtua restaurimit të institucioneve kulturore të urdhrit të vet fetar: ndërmjet viteve 1993-1997 ribotoi revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje u botua edhe më 2003. Këtyre viteve shkruajti dhe botoi trilogjinë Rrno vetëm për me tregue, vëllimet Françeskanët e mëdhaj, Frati i pashallarëve Bushatli: Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus-siç i thonim dje si dhe drama e poezi. U angazhua gjithashtu për gjetjen e eshtrave të Fishtës, të cilave iu bë një varr brenda kishës françeskane në Shkodër.[5] Me nxitjen e tij më 2005 nisi projekti për botimin e kolanës me autorë fretërit françeskanë. Kjo kolanë pasurohet vit pas viti me botime të reja që pasurojnë dhe bibliotekën e Françeskanëve në Gjuhadol të Shkodrës, në të cilën ndodhen dhe dhjetëra dorëshkrime që presin të botohen. Pjesë e këtyre dorëshkrimeve janë dhe disa letra dhe shkrime të Pllumin.[6]

Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

Mirënjohje

Redakto

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi Pllumin me Urdhrin "Nderi i Kombit". Presidenti Moisiu vlerësoi Atë Zefin “si përfaqësues të pasurisë kulturore e njerëzore, si një institucion të vërtetë, që i rezistoi regjimeve dhe kohërave më të vështira dhe si simbol i qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”. Nga ana e tij Pllumi u shpreh se e pranon këtë nderim me dëshirë, si një shenjë që sot e mbrapa nuk do të ketë më censurë e dallime krahinore, fetare e ide, që e copëtojnë kulturën shqiptare dhe si një shenjë e unitetit të kësaj kulture gjatë shekujve.

Po në vitin 2006 Pllumi merr çmimin letrar "Penda e Artë" për trilogjinë e tij me kujtime Rrno vetëm për me tregue të akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Juria paska pranue edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, këtu besoj âsht vlera që ka demokracia. Kjo âsht vlefta mâ e madhe që i bâhet librit tim. Të tjerat janë për mue kunora që çohen në funerale që i vdekuni s'i sheh,
─ tha P. Zef Pllumi me rastin e pranimit të çmimit.

Në nder të tij është hapur edhe një shkollë në Tiranë, në rr. "Frang Bardhi" e cila mban emrin e Zef Pllumit.

Me rastin e njëvjetorit që ndërroi jetë, më 25 shtator 2008 u mbajt konferenca "At Zef Pllumi, mes shkrimit dhe historisë" e organizuar nga instituti i kërkimeve politike "Alcide de Gasperi".[7]

Veprat

Redakto
  • Rrno vetëm për me tregue: libri i kujtimeve / 1 1944-1951, Tiranë: Hylli i Dritës, 1995 me parathënie nga Aurel Plasari; Shkodër: Botime Françeskane, 2015;
  • Rrno vetëm për me tregue: liria mes dy burgimeve / 2 1950-1967, Tiranë: Hylli i Dritës, 1997; Shkodër: Botime Françeskane, 2015;
  • Rrno vetëm për me tregue: robnia e gjatë / 3 1967-1990, Tiranë: Hylli i Dritës, 2001. Ribotim integral i trilogjisë, Tiranë: 55, 2006 me parathënie nga Ismail Kadare. ribotim i vëllimit të tretë Shkodër: Botime Françeskane, 2015;
  • Françeskanët e mëdhaj, Tiranë, 2001;
  • Antipoezi për shekullin XX, Poemë antiepike, Tiranë, 2001;
  • Ut herit dicebamus - Siç thonim dje, përmbledhje publicistikash, Tiranë, 2002;
  • Para njëmijë vjetëve, drama, Tiranë, 2003; Shkodër: botime Françeskane, 2017;
  • Frati i pashallarëve Bushatlí të Shkodrës: át Erasmo Balneo, 1756-1788: kronikë e gojdhanë, Tiranë: Botime Françeskane, 2004;
  • Histori kurrë e shkrueme, përmbledhje intervistash dhe i titujve Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo, Ut heri diçebamus - siç i thonim dje, Tiranë, 55, 2006;
  • Saga e fëmijnisë, Shkodër: Botime Françeskane, 2009;
  • Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët, përmbledhje intervistash Tiranë: Onufri, 2009;
  • Dhetë vjet liri, Shkodër: Botime Françeskane, 2017.

Referime

Redakto
  1. ^ Kurti, P. Donat (2003) [1965]. Provinça Françeskane Shqiptare. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 126. ISBN 99927-789-1-1.
  2. ^ a b Pllumi, P. Zef (2009). Shamku, Ledi (red.). Saga e fëmijnisë: un që jetova shum shekuj. Shkodër: Botime Françeskane. ISBN 9789995670191.
  3. ^ Kurti 2003, p. 263.
  4. ^ Emisioni "Opinion" tek TV Klan me Blendi Fevziun: Nostalgji Át Zef Pllumi
  5. ^ Nikolli, Fatmira (29 korrik 2014). "Varri i Fishtës". Gazeta Shqiptare. Arkivuar nga origjinali më 28 gusht 2022. Marrë më 28 gusht 2022.
  6. ^ Tuci A., Dorëshkrimet që “fshihen” te Françeskanët, Mapo, 29 korrik 2014.
  7. ^ "At Zef Pllumi mes shkrimit dhe historisë" (PDF). degasperi.al. 2008. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shkurt 2010. Marrë më 28 gusht 2022.

Lidhje të jashtme

Redakto
  NODES
eth 3