Jiro Taniguchi apo Taniguçi (Taniguchi Jirō 谷口 ジロー , Tottori, 14 gusht 1947 – Tokio, 11 shkurt 2017)[1][2] ka qenë një artist manga-ka alternative japonez, njëri prej autorëve më me ndikim pas Luftës së Dytë Botërore. Autor i shumë librave vizatimorë si për fëmijë ashtu dhe për të rritur, Taniguchi njihej për përqasjen e tij herë poetike, herë guxuese nëpër to.[3]

Në një pjesë të librave të tij, Taniguchi merrej me arratisjet mentale të meshkujve profesionistë dhe ngjarjet e tyre të përditshme. Librat e tij të serisë Lagjja e largët 1 dhe 2 (dhënë në frengjisht si Quartier lointain), për shembull, merret me kujtimet e një të rrituri në karrierë në një qytet të madh. Nepsqari i vetmuar (孤独のグルメ, Kodoku no gurume, dhënë në frëngjisht si Le gourmet solitaire) është një vështrim plot humor mbi inkursionet nëpër gjellëtore të mira të një agjenti tregëtar. Të dy këta libra u transferuan në media të tjera. Lagjja e largët u bë film dhe pjesë teatrore, Nepsqari i vetmuar u kthye në seri televizive.[4] Por ai ka dizenjuar edhe mbi tema aventurash. Qeni Blanco (Le chien Blanco) shkrin fantazitë e Xhek Londonit mbi veriun arktik me ato fantastiko-shkencore të periudhës së Luftës së Ftohtë.

Në dizenjimet e tij, ai njihet i kursyer në hollësi dhe me linja të qarta, pjesërisht i ndikuar nga shkolla franceze e stripeve dhe librave vizatimorë e Moebius-it dhe Enki Bilal-it, autorë stripesh të pas-Luftës së Dytë. Por Taniguchi vetë ndikoi në krijimin e një grupimi dizenjuesish stripesh francezë dhe japonezë të Mangas së re (La nouvelle Manga) që merrej me tematika të jetës së përditshme.[3]

Përtej Japonisë, Taniguchi ishte shumë popullor në Francë dhe botën frankofone,[5] dhe librat e tij botoheshin nga shtëpia e njohur e librave vizatimorë Closterman. Por ai njihej nga të gjithë të apasionuarit e artit të historive vizatimore dhe mangave. Guillermo del Toro, regjisori amerikan, shkroi në Twitter me rastin e vdekjes së Taniguchi-t: "Njëri prej tregimtarëve më të jashtëzakonshëm në cilindo medium. Esencial" (One of the most moving and amazing storytellers in any medium. Essential.)[6]

Në vitin 2011, ministria e jashtme franceze i dha atij titullin e Kalorësit të Urdhërit të Artit dhe Letërsisë (Chevalier de l'ordre des arts et des lettres).

Referimet

Redakto
  1. ^ Japanese manga artist Jiro Taniguchi dies aged 69, BBC News, 11 shkurt 2017
  2. ^ dhënat biografike dhe bibliografike në Bibliotekën Kombëtare të Francës.
  3. ^ a b Brigid Alverson, On the Passing of Master Manga-ka Jiro Taniguchi..., Blog në kompaninë Barnes and Noble, 13 shkurt 2017
  4. ^ Jiro Taniguchi en dix albums indispensables, Les Inrockuptibles, 27 shkurt 2017
  5. ^ Faqja e Taniguchit në shtëpinë botuese Closterman.
  6. ^ Tweet i Guillermo del Toros
  NODES
twitter 1