kuptoj
KUPTOJ kal. dhe jokal.
- 1. Jam i aftë të kap e të rrok diçka me forcën e mendjes a të logjikës, e marr vesh; arrij të marr vesh atë që thotë a që shpreh dikush; më hyn në kokë diçka. Kuptoj mësimin. Kuptoj gabimin. Mezi e kupton. E kuptoi detyrën menjëherë. Nuk e kupton dot. Kupton apo s'kupton? S'kupton fare.
- 2. E zbuloj, arrij ta diktoj, ta shoh a ta gjej diçka; i bie në të, arrij ta kap, e shquaj, e dalloj; e marr me mend. Ia kuptuam qëllimin. E kuptoi ku ishte fshehur. Ia kuptoi lëvizjet. S'e kuptoj dot së largu se ç'është. E kuptoj ku është fjala. E kuptova ku e kishte hallin. I jap të kuptojë. S'e kuptova pse u zemërua.
- 3. Kam një pikëpamje a një mendim të caktuar për diçka. E kuptoi drejt. Kështu e kuptonte jetën ai.
- 4. E di, e njoh, e marr vesh (një gjuhë të huaj, një kod etj.). Kuptoj pak frëngjisht. E kupton mirë italishten. E kuptoj këtë kod e di këtë kod, jam në gjendje ta deshifroj.
- 5. Jam në gjendje të gjykoj për diçka e ta vlerësoj, njoh mirë diçka; ndiej. E kupton muzikën popullore (klasike).
- E kuptoi (e mori vesh) ku i shtinte dyfeku shih te DYFEK,~U.