MIK m.

  • 1. Ai me të cilin kemi miqësi; ai që na do të mirën, na ndihmon me gjithë zemër e na gjendet në çdo nevojë; një i njohur, me të cilin kemi lidhje të ngushta, njeri i afërt; kund. armik. Mik i ngushtë (i vërtetë). Mik i rremë. Mik i vjetër. Mik me (për) kokë mik shumë i dashur e i ngushtë. Mik për fiq. bised. ai që shtihet si mik i dikujt për të nxjerrë përfitime prej tij, mik i rremë. Mik i familjes (i shtëpisë) njeri shumë i afërt i familjes. Mik pas miku. Miq e dashamirë. E rregulloi me mik (me anë miku). keq. e rregulloi me ndihmën e një të njohuri, me rrugë të tërthorta e jo të drejta. I futi një mik. keq. bëri që të ndërhyjë një i njohur i tij për të rregulluar një punë, duke ndjekur kështu një rrugë jo të drejtë. E ka zënë (e ka bërë) mik. E kam mik. Jemi miq. Hiqet si mik. Miku i mirë njihet në të vështirë. fj. u. Më mirë një mik (besnik), se një çiflig. fj. u. Mikut ankoju, armikut lëvdoju. fj. u. Më mirë pa miq, se me miq të ligj. fj. u. Kur m'u dogjën mullarët, njoha miqtë e kumbarët. fj. u. Hekuri njihet në zjarr, miku në nevojë. fj. u.
  • 2. Ai që përkrah, ndihmon ose mbron dikë, dashamir; popull, vend, shtet etj., me të cilin kemi marrëdhënie të mira miqësore. Mik i Shqipërisë. Miqtë e vendit tonë. Kemi miq në gjithë botën.
  • 3. Mysafir që vjen për të bujtur në shtëpi; ai që ftohet për të marrë pjesë në një festë etj. Mik i huaj (i largët). Mik i rëndë mik që kërkon ta presësh me shumë të mira e ndere. Miq të nderuar! Dhoma e miqve. I veshur si për mik i veshur me rroba të reja. Mbrëmë patëm dy miq nga qyteti (nga fshati). Mori edhe një mik pas vetes. A do miq, o i zoti i shtëpisë? Pret e përcjell miq. Si miku edhe lakrori (sofra). fj. u. Si është miku bëhet petaniku. fj. u. Mikun prite e nderoje, po mos e bëj zot shtëpie! fj. u.
  • 4. vet. sport. Skuadër lojtarësh të një klubi, të një rrethi a vendi tjetër, që ndeshet me skuadrën vendëse; kund. vendësit. Miqtë fituan (humbën) dy me zero.
  • 5. etnogr. Secili nga meshkujt e familjes së nuses (babai, vëllai etj.) kundrejt njerëzve të dhëndrit. E bëri mik.
  • 6. Përkrahës e mbrojtës i diçkaje, dashamir; ai që është shumë i dhënë pas diçkaje. Mik i punëtorëve (i fshatarëve, i fëmijëve). Mik i madh i kafshëve. Mik i përparimit (i lirisë, i së vërtetës). Mik i artit. Miqtë e librit. Miku i detit. I dhanë titullin «Miku i librit».
  • 7. bised. Dikush, të cilit nuk ia dimë emrin ose nuk duam t'ia përmendim; një njeri. E takove atë mikun? Kush ishte ai mik? Dje erdhi edhe ai miku.
  • 8. bised. Dashnor, i dashur. Kishte zënë një mik.
  • 9. bised. Përdoret bashkë me fjalën lum, kur i drejtohemi një njeriu, të cilit nuk ia dimë emrin ose një bashkëbiseduesi të zakonshëm. - Kështu, lum miku! - Besa, more lum miku, as unë nuk e di. - S'i the, lum miku? - Po, lum miku, i mirë ka qenë.
  • 10. Përd. mb. sipas kuptimeve 1-3, 8 të emrit.
  • Mik i paftuar njeri i padëshirueshëm; armik. E lau mikun (vëllanë) etnogr. shih te LAJ 7.
  NODES